Publikuar:
E vërteta e fshehur
Shkruan: Ismet HAJRULLAHU
Historia shpesh rezervon kthesa të papritura, ku e vërteta shpërthen pikërisht nga zërat që nuk pritej. Teologu dhe publicisti i njohur serb, Miroljub Petroviq, ka shokuar opinionin publik në vendin e tij duke deklaruar me mburrje një të vërtetë historike: “Turqit myslimanë na shpëtuan për 500 vjet.”
Sipas analizës së tij, po të mos kishte ndodhur depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan, sot populli serb nuk do të ekzistonte fare me këtë identitet. Pa mbrojtjen e osmanëve, ata do të ishin integruar plotësisht nën autoritetin e klerit katolik vendas dhe rrjedhimisht do të ishin kthyer në shqiptarë, pasi në ato troje iliro-dardane vetëm shqiptarët përfaqësonin forcën kryesore të krishterë autoktone.
Në interpretimin e tij teologjik, Petroviq shkon deri aty sa të pohojë se Zoti, përmes myslimanëve osmanllinj, bëri një vepër të madhe gjeopolitike: i ruajti serbët nga asimilimi i natyrshëm prej shqiptarëve të krishterë. Kjo shpjegon teorinë e tij kontroverse se periudha pesëshekullore nën sundimin osman ofroi një periudhë stabiliteti që u mundësoi atyre mbijetesën në tokat e lashta iliro-dardane. Është pikërisht falë asaj periudhe të gjatë favorizimi administrativ dhe fetar që serbët arritën të mbeten një faktor në Ballkan; përndryshe, pa këtë ndërhyrje, ata nuk do të ekzistonin më kurrë këtu.
Historia s’mund të fshihet. Ata që u dorëzuan mund dhe ndoshta duan të harrojnë, por e vërteta e hidhur është kjo.

